Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri për bizneset. Marketet në Kosovë janë shumë shpesh cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje, duke kapur qoftë para apo edhe gjësende ushqimore.
Kështu ka ndodhur edhe së fundmi në marketin “Eli-Ab” në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj, ku një person ka arritur të vjedh disa pako me mish, por u kap në flagrancë nga punëtori i sigurimit, edhe pse tentoi të ikë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për A.B, 23-vjeçar, i cili nuk e ka sefte këtë rast. Ai është arrestuar gjatë ditës së djeshme, por dyshohet se vepra të tilla ka kryer edhe më parë pasi është emër i njohur për Policinë.
I njëjti u prangos pasi sigurimi njoftoi Policinë dhe kërkoi ndihmën e tyre para se i dyshuari të ikte. Njësiti policor që intervenoi në këtë rast e shoqëroi të dyshuarin në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë për rastin. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor prej 48 orësh për veprën penale “Vjedhje”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.