I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, pritet të vizitojë Kosovën më 6 shkurt, derisa, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, ai mund të vazhdojë vizitën në Serbi.
Ndërsa nga Qeveria e Kosovës kanë konfirmuar për mediat në Prishtinë se Lajçak do të takohet me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
“Kryeministri Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin Bislimi priten të zhvillojnë nesër një drekë pune me emisarin Lajçak”, tha Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.
Ndryshe Lajçak vjen në Kosovë për të dytën herë brenda pas 10 ditësh.
Më 26 janar, ky i fundit kishte darkuar me Kurtin dhe Bislimin në Prshtinë.
Pas takimit diplomati sllovak pati njoftuar përmes një cicërime në Twitter se kanë rënë dakord se të gjitha marrëveshjet e kaluara që janë arritur në kuadër të dialogut duhet të zbatohen plotësisht.
“U ktheva sot në Kosovë për të vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara nga dialogu duhet të zbatohen plotësisht”, ka shkruar Lajçak.