Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se java e ardhshme parashihet të jetë më e ftohta e kësaj stine.
“Java e ardhshme, (përveç ditës së hënë), mbi vendin tonë do të ndikohet nga masat e thata të ajrit me origjinë nga pjesa veriore e kontinentit. Këto masa të ajrit do të kushtëzojnë mot të ftohët dhe me temperatura tipike dimërore. Parashihet të jetë java më e ftohët deri më tani e kësaj stine” – është thënë në njoftimin e IHK-së.
Sipas IHK-së, edhe sot pasdite parashihen erëra të fuqishme të cilat do t’i përfshijnë disa rajone, kryesisht veriun, verilindjen dhe perëndimin e vendit, por edhe pjesa qendrore gjithashtu do të përfshihet nga erërat e fuqishme të cilat do të regjistrojnë shpejtësinë mbi 12m/s.
Po ashtu, është bërë e ditur se parashihet edhe reshje bore të intensitetit të dobët, të cilat do të vazhdojnë edhe në pjesën e parë të ditës së hënë, ku edhe erërat parashihen të dobësohen pasditen e ditës së neserme.
Instituti ka njoftuar se gjatë gjithë javës do të ketë ngrica u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në komunikacion të kenë kujdes të shtuar.
“Gjithashtu apel edhe tregtarëve të cilët merren me importimin dhe shitjen e pemëve dhe perimeve që produktet e tyre t’i ruajnë në vende të përshtatshme, pasi që pothuaj e gjithë java do të jetë me ngrica, si pasojë e temperaturave të ulëta” – është thënë në njoftim.
Sipas IHK-së, temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -11 deri -5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet-2 deri 1 gradë Celsius.