Qytetarët e Komunës së Kaçanikut nuk kanë mundësi t’i frekuentojnë hapësirat pranë lumit Nerodime, janë të detyruar të krijojnë distancë. Aty për vite me radhë po derdhen ujërat e zeza të Kaçanikut dhe Ferizajt me fshatrat përreth. Kundërmimi po ua vështirëson jetesën banorëve që jetojnë në afërsi. Projekti për impiantin e ujërave të zeza, që vlerësohej zgjidhja e këtij problemi, është drejt dështimit
Ato kanë iniciuar projekte për kolektor, por zvarritja e projektit për vendosjen e impiantit për ujërat e zeza ka bërë që qytetarët të jenë në hall nga kundërmimi. Kjo po ua vështirëson jetesën banorëve që jetojnë në afërsi të tij. Projekti për impiantin e ujërave të zeza që vlerësohej rrugëdalja nga ky problem, është drejt dështimit.
Avdullah Hasani nga Kaçaniku ka thënë se me këtë problem përballen sidomos në sezonin e verës kur uji pakësohet.
“Era e keqe ju pengon më shumë atyre që janë duke banuar këtu afër, pastaj lokaleve. Edhe njerëzve që shëtitin në këtë pjesë, patjetër, por ata dhe mund të largohen. Nëse do të vinit verës kur nuk ka ujë, kur t’i lëshojnë ujërat e zeza, ju nuk mund të qëndroni këtu”, ka treguar ai.
Avdyl Dema nga qyteti i Kaçanikut ka shtuar se ky problem po u shkakton edhe dëme.
“Sidomos në mbrëmje, kur po dalim të shëtitemi po na pengon, era tepër e rëndë. Këtu edhe janë larë njerëzit përpara, ka qenë tepër pastër, ka pasur peshk, krejt të mirat”, ka thënë ai.
Shpërngulja nga fshati shkaku i kundërmimit të Nerodimes
Bajrush Brati jeton në Kaçanik të Vjetër, shtëpia e tij ndodhet 40 metra larg nga lumi. Kjo problematikë, ka theksuar ai, është shfaqur nga viti 2007, por ka 5 vjet që problemi është bërë tepër i madh.
Si pasojë e kësaj, ai ka treguar se shumë banorë të këtij fshati janë zhvendosur. Sipas tij, edhe kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, është larguar.
“Nga këtu edhe janë shpërngulur, diku 22-23 shtëpi. Sidomos lagjja e Besim Ilazit, komplet, të gjithë janë shpërngulur, shkaku i kësaj ndotjeje të madhe”, ka thënë ai.
Qytetari ka treguar se iu është premtuar një rrugëdalje sidomos në zgjedhjet e fundit nga udhëheqësit e komunës. Ai thotë se e ka humbur shpresën se kjo do të rregullohet.
“Premtime kemi pasur prej kryetarëve, na ka premtuar Besim Ilazi, sidomos në zgjedhjet e fundit edhe e kemi votuar bindshëm Kaçaniku i Vjetër, duke shpresuar që do të na largojë këtë erë. Është premtuar që Nerodimja do të kthehet si ka qenë me peshk, gaforre, guaca, por nuk po ma merr mendja që do të bëhet kjo”, ka shtuar ai.
Ai ka bërë edhe një krahasim të këtij resursi ujor me vitet e kaluara. Ka treguar se përgjatë tre muajve ata kanë pushuar, notuar, kanë krijuar kujtime të shumta. Sipas tij, atëherë ka jetuar gjithçka nën këtë ujë e sot asgjë.
Komuna në kërkim të informatave pse po dështon projekti
Ndërtimi i impiantit të ujërave të zeza, si projekt i cili i trajton komplet këto ujëra në Komunën e Ferizajt ka filluar nga viti 2015, me miratim në Kuvend dhe është bërë amendamentimi i tij.
Drejtori i Drejtorisë së Urbanizimit në Ferizaj, Arbër Bytyqi, ka thënë se është dashur të fillohet me implementimin e projektit, pasi të gjitha procedurat që është dashur të kryhen janë përfunduar.
“Fatkeqësisht, sipas informatave jozyrtare që i kemi, tashmë situata nuk është ashtu siç është paraparë në bazë të dinamikës që ne e kishim planifikuar atëherë në koordinim me Qeverinë e Kosovës. Ky është projekt shumë i rëndësishëm dhe është dashur Qeveria e Kosovës ta marrë me seriozitet maksimal në mënyrë që ky projekt të shtyhet sa më shpejt pasi që kemi të bëjmë me ndotjen e ujit”, ka thënë ai.
Ai shpreson që Qeveria të marrë hapa konkretë, pasi sipas tij, është rrugëzgjidhja e vetme e këtij problemi.
Drejtori Bytyqi thotë se së bashku me kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, kanë qenë për vizitë zyrtare në Hungari. Ai thotë se Qeveria nuk i ka informuar për procesin, ndërkohë që pret të paktën ta bëjë këtë Ambasada e Hungarisë, e përfshirë në këtë projekt.
“E-mail ne i kemi shkruar Ambasadës hungareze, pas daljes së informatave që ky projekt po shkon drejt dështimit. Për neve ka qenë një lloj shoku, pasi ishim duke pritur fazën e fillimit të implementimit të projekt nënshkrimit të marrëveshjes me operatorin ekonomik dhe fillimin e implementimit të projektit në terren. Për ne është e pabesueshme që ky projekt po shkon drejt dështimit”, ka shtuar Bytyqi.
Ai ka thënë se Komuna e Ferizajt është e gatshme kurdo për këtë projekt, t’i anashkalojnë të gjitha punët e tjera, pasi që është shumë i kushtueshëm, ka vlerën e 40 milionë eurove dhe kjo komunë nuk ka kapacitete për ta përballuar koston.
“Qeveria e Kosovës e ka pasur të pamundur ta financojë dhe është marrë kredi për këtë çështje dhe të neglizhohet deri në këtë masë sa të rrezikohet projekti, po besoj që është papërgjegjësi dhe dikush duhet të marrë përgjegjësi për këtë çështje”, ka thënë Bytyqi.
Ai ka treguar se si do të veprohet në rast se dështon ky projekt, të cilin e cilëson si më të rëndësishmin nga paslufta për Ferizajn.
“Ne do t‘i shfrytëzojmë të gjitha burimet ligjore, që janë në fuqi, për shkak që është një projekt që ka kaluar në disa faza. Qeveritë e mëhershme kanë marrë përgjegjësi sa i përket këtij projekti dhe normalisht që në kuadër të këtij projekti janë krijuar edhe obligime dhe dikush duhet të japë përgjegjësi, nëse ky projekt rastësisht shkon drejt dështimit. Por, unë po besoj që zyrtarët qeveritarë në nivelin qendror do t‘i thërrasin mendjes, do të ulen të diskutojnë me Qeverinë hungareze dhe të kemi një përgjigje përfundimtare pozitive”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se bashkëpunimi me Komunën e Kaçanikut ka qenë i vazhdueshëm.
“Ata e kuptojnë mirë që ky projekt është më i gjerë, i nivelit qendror, që komunat nuk kanë as përgjegjësi e as mundësi të investojnë për zgjidhjen e kësaj problematike, është problem nacional. Në kuadër të zgjidhjes së këtij problemi, Qeveria e Republikës së Kosovës në vazhdimësi më herët ka marrë kredi të ndryshme. Ka qenë e pamundur për komunat në përgjithësi që ta trajtojnë me mjetet e tyre dhe me kapacitetet e tyre qoftë njerëzore, qoftë ekonomike”, ka theksuar ai.
Komunat s’kanë kapacitete për projekte të mëdha
Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” në Ferizaj, po ashtu, kanë thënë se projekti po shkon drejt dështimit dhe arsyeja kryesore e mosarritjes së marrëveshjes është vonesa disavjeçare. Nga viti 2017 nuk ka pasur lëvizje në lidhje me këtë çështje. Zyrtarët e kompanisë kanë shtuar se gjatë kësaj kohe ka ndryshuar shumëçka, përfshirë dizajni i projektit dhe kostoja.
“Mospajtimet në aspektin teknik kanë qenë për faktin se projekti përgjatë rrugës, që nga viti 2017 ka pësuar ndryshime të theksuara në dizajn, ku nga 3 impiante ishte reduktuar në vetëm 1 impiant, si dhe edhe teknologjia e menduar të përdoret nuk ishte diçka që përshtatej mirë me sistemet ekzistuese. Edhe kostoja totale krahasuar me planin fillestar ishte shumë më e lartë, si rezultat i lëvizjes së çmimeve e inflacionit përgjatë viteve”, kanë thënë nga “Bifurkacioni” në një përgjigje.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, megjithatë thotë se është punuar diçka. Tha se kolektori i ujërave të zeza në fshatin Gërlicë ka përfunduar. Për këtë vit, planifikohet edhe projekti i dytë, i cili lidh fshatrat nga Sllatina deri në dalje të Kaçanikut.
“Besohet që në një të ardhme, nga këta dy kolektorë në fund të qytetit, të krijohet një impiant i përbashkët për trajtimin e ujërave të zeza, projektin e kemi të gatshëm, e kemi dorëzuar në Ministri. Ashtu siç e kam thënë gjatë fushatës, ai është një projekt që planifikojmë ta bëjmë nga grandi i katërt qeveritar ku është me fusnotë i shenjëzuar dhe po shpresojmë të zbatohet nga qeveria aktuale që ka trumbetuar se do investojë nëpër komuna. Po shpresojmë që në atë projekt të fusim këtë projekt që e kemi të gatshëm si projekt të kolektorit për të filluar finalizimin e këtij projekti”, ka deklaruar ai.
Ai ka përmendur peticionin e dërguar nga 5.000 qytetarë të Kaçanikut në Kuvendin e Kosovës.
Ka përmendur bashkëpunimin e mirë me Komunën e Ferizajt. Po ashtu, ka shtuar se çdo vit, sidomos në kohën e sezonit të verës, kur fillon kundërmimi, i dorëzohet nga një ankesë kryetarit të Ferizajt, i cili ka thënë se është i pafuqishëm që ta zgjidhë këtë problem, pastaj i dorëzohet Ministrisë së Mjedisit dhe Inspektoratit të kësaj ministrie.
“Shqetësimet të cilat i kanë qytetarët e Kaçanikut, shpeshherë i dërgojmë edhe me foto, në të cilat zakonisht duket edhe ngjyra e ujit që vjen nga ujërat e zeza nga Komuna e Ferizajt. Kjo është mundësia ime ligjore që e shfrytëzoj, të tjera mundësi deri më tani nuk kemi pasur, pos që kemi kërkuar që edhe nga mediat të sensibilizohet një çështje e tillë për shkak se po rrezikohet jeta e banorëve në përgjithësi”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se qytetarët e Kaçanikut janë ata që më shumti e pësojnë, e sidomos nga qershori, banorët e fshatrave Kaçanik i Vjetër, Stagovë deri në Runjevë e kanë të pamundur të qëndrojnë në ambiente të hapura.
Derisa institucionet të bëjnë zgjidhjen e kësaj problematike, banorët e të dyja komunave do të vazhdojnë të përballen me kundërmimin dhe rrezikun për shëndetin e tyre.