Familja konsiderohet si vendi më i sigurt dhe më i qetë për gratë. Kjo siguri dhe qetësi mund të rrezikohet në momentin që shfaqet dhuna në çfarëdo forme, qoftë psikike, fizike, ekonomike apo seksuale, raporton Gazeta Sinjali.
Vazhdimisht në Polici raportohen raste të dhunës në familje, ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë nga bashkëshortët dhe anëtarët tjerë të familjes.
Sinjali mëson se kështu ka ndodhur së fundi edhe në një familje në fshatin Talinovc i Jerlive në Ferizaj, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike sistematike ndaj bashkëshortes së tij dhe të njëjtën e ka sulmuar edhe fizikisht.
Gjithçka dyshohet të ketë ndodhur mbrëmjen e së martës në shtëpinë e çiftit, ku pas një konflikti verbal mes tyre, 46-vjeçarja i është kundërvënë bashkëshortit të saj, duke i kërkuar që të ndalet sepse nuk mund të durojë më.
Bazuar në dëshminë e viktimës dhënë organeve të hetuesisë, kjo ka nervozuar shumë të shoqin, i cili dyshohet se është ngritur dhe e ka sulmuar fizikisht duke e goditur me shuplaka.
Si rezultat i denoncimit të rastit, njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
50-vjeçari nuk ka mohuar që ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.
I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.