“Besoj shumë. Jam optimist në jetë dhe kemi ende kohë për përgatitje. Kemi edhe një muaj e gjysmë për t’u përgatitur. Për momentin jemi të fokusuar vetëm në përgatitje. E rëndësishme është të jemi të gatshëm për fillimin e sezonit pranveror dhe të tregojmë se meritojmë të jemi pjesë e Superligës”, ka thënë Panadiq të dielën për KOHËN.
Ferizaj ishte ndër skuadrat e para që nisi përgatitjet për stinorin pranveror. Trajneri, që ka pasur përvojë të madhe si futbollist, thotë se përkushtimi i lojtarëve për të arritur synimet është i duhuri.
“Ne kemi filluar më 20 dhjetor përgatitjet. Gjatë pushimit lojtarët kanë pasur programin për të stërvitur. Kam qenë i lumtur që të gjithë kanë mbajtur formën dhe për mua ka qenë më lehtë për të vazhduar përgatitjet. Lojtarët janë të motivuar, po punojnë shumë mirë. Janë duke treguar dëshirë të madhe dhe ne po punojmë çdo ditë për atë që na pret në pjesën e dytë të kampionatit”, ka deklaruar ai.
Panadiq pret përforcime nga drejtuesit e klubit për pjesën e dytë të kampionatit.
Përforcimet Ferizajt nuk i munguan edhe para fillimit të edicionit 2022/2023. Por, rezultatet nuk ishin të kënaqshme. Panadiq zëvendësoi Arbnor Morinën në krye të shtabit teknik.
“Kemi transferuar dy lojtarë dhe presim të përforcohemi edhe me disa të tjerë. Fokusi është në punë, kjo është primare për ne aktualisht. Për pjesën tjetër është pjesa e stafit që merret. Do të jemi arrë shumë e fortë për secilën skuadër në elitë. I uroj të gjithë lojtarët e Kosovës për këtë vit dhe ne uroj të kemi rezultatet më të mira”, ka thënë Panadiq.
Një prej lojtarëve që iu bashkua gjatë verës së të kaluar Ferizajt është Astrit Fazliu. Fazliu është kapiten i Ferizajt.
“Është diskutuar gjithnjë për atë që nuk kemi marrë sa kemi merituar. Deri tash përgatitjet kanë shkuar shumë mirë dhe të gjithë lojtarët e kanë një motiv më të madh kur dihet pozita ku jemi. Duhet të jemi më të motivuar dhe të jemi dhjetë herë më mirë se në stinorin vjeshtor për të dalë nga ajo pozitë. Shpresoj që me punën dhe përkushtimin do të dalim nga ajo pozitë”, ka thënë Fazliu.
Fazliu pranon se do të jetë e vështirë mbijetesa, por jo edhe mision i pamundur.
“Do të jetë e vështirë, pasi nga vendi i fundit të duhet ngritja. Ngritja është më e vështirë, por jemi duke punuar që të dalim në këtë pozitë. Po punojmë maksimalisht dhe urojmë që lojtarët që janë përmendur të na bashkohen për të qenë sa më të kompletuar për t’ia dalë këtij misioni”, është shprehur Fazliu.
Ferizaj është një prej klubeve më stabile për nga aspekti financiar, që vlerësohet të jetë i rëndësishëm.
Kryetari i Ferizajt, Lulzim Abazi, thotë se u kanë munguar rezultatet.
“Është evidente që rezultatet na kanë munguar, por nuk është pasoj e aspektit financiar dhe organizimit sepse klubi jonë është shpërblyer me epitetin e skuadrës më ferplej. Kështu që klubi ka një të ardhme të ndritur. Jemi një prej klubeve më të organizuara në vend”, ka thënë Abazi.
Jasmin Meçinoviq, Çlirim Avdulli dhe Besar Iseni janë përforcimet e para të Ferizajt, ndërsa janë paralajmëruar edhe disa të tjerë. Abazi ka bërë të ditur se ka nisur bisedimet për t’i transferuar edhe Përparim Islamin, Mevlan Zekën, Enea Koliqin dhe Granit Jasharin.